Mundet Gjibraltari për vend të parë në grup dhe kualifikim në play off për KE

Publikuar më 19 Ноември, 2018 Lajme, Lajme


Maqedonia ka fituar vendin e parë në grupin 4 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve, duke siguruar pjesëmarrje në fazën e play offit për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Maqedonia me fitore mbylli fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, pasi në ndeshjen e fundit me rezultat 4:0 mundi Giibraltarin.

Maqedonia dominoi në tërësi ndeshjen dhe me plotë meritë i'u gëzua fitores së pestë në garën më të re të UEFA-së.

Maqedonia nisi furishëm ndeshjen dhe humbi disa mundësi shënimi me Elmas dhe Bardhin që i'u afruan më shumë golit, por ndryshim nuk pati deri në minutën e 27-të kur Enis Bardhi shfaqet me një tjetër kryevepër. Futbollisti i Levantes pas super golit nga gjuajtja e lirë ndaj Lihtenshtajnit të disa ditëve më parë, tani lëviz bukur në të majtë dhe me një të djathtë fantastike sjell epërsi 1:0. 

Në pushim shkuam me avantazh të merituar, ndërsa në vazhdim vazhduan sulmet dhe efikasiteti rezultoi më në nivel. Në minutën e 64-t Bejtullai harkon bukur në zonë ku goditia e Nestorovskit me kokë ndalet në traversë. Sulmuesit të Palermos do t'i kthehej fati tre minuta më vonë kur merr asist të mirë nga Ristevski para se me kokë të percjellë topin në rrjetë për shifra 2:0.

Minuta e 80-të sjell sërish në skenë Nestorovskin që prodhon goditje shumë të bukur me të majtën duke realizuar për 3:0 në cepin e epërm të portës mysafire. Rezultatin final Maqedoni 4, Gjibraltar 0 e vulosi Trajkovski në kohën shtesë kur lëshoi një të djathtë të fortë që u ndal vetëm në rrjetën kundërshtare. 

MAQEDONIA: Dimitrievski, Ristevski, Musliu, Triçkovski (Hasani 59'), Alioski, Trajkovski, Bejtullai, Nikollov, Bardhi, Elmas (Ademi 72'), Nestorovski (Vellkovski 82').

Seleksionues: Igor Angellovski



   
   
Reprezentacioni A