Futsall, Maqedonia pëson disfatë nga Kosova

Publikuar më 25 Октомври, 2019 Lajme, Fustsall


Pas disfatës (1:6) ndaj Sllovenisë, përfaqësuesja e futsallit të Maqedonisë sonte u mund 7:5 nga Kosova në kuadër të xhiros së dytë të turneut parakualifikues për Kampionatin Botëror të  vitit 2020. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Ivan Bozhoviq, në palestrën “Jane Sandanski” nuk arritën të marrin fitoren e parë përballë kosovarëve në një ndeshje me shumë kthesa në rezultat, e ku vetëm fundi vendosi emrin e fituesit.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 4:2 në favor të mysafirëve për të cilët shënuan Jeton Rukovci, Drilon Maxharraj, Ramadan Alaj dhe Malush Qerimi.

Në anën tjetër dy golat për Maqedoninë i realizuan Ivan Krstevski dhe Taulant Ismaili. 

Fillimi i pjesës së dytë ishte superior për ekipin “verdhekuq”, të cilët që në minutën e parë me anë të Sadat Ziberit arritën që të ngushtojnë epërsinë e Kosovës në 4:3. 

Në minutën e 26-të Ferid Agushi gjeti rrjetën për barazim 4:4, ndërkohë një super gol i Adrian Micevskit në minutën e 28-të bëri që Maqedonia për herë të parë në këtë ndeshje të sheh veten në avantazh.

Kjo epërsi e Maqedonisë zgjati vetëm 5 minuta, pasi një reagim naiv bëri që portieri kosovar, Fredi Prenqi të barazojë shifrat në 5:5.

Ky rezultat ishte aktual deri në minutën e 39-të, kur Malush Qerimi realizoi edhe golin e dytë personal dhe të 6-tin për Kosovën. Maqedonia u hodh në kërkim të barazimit duke luajtur pa portier, ndërsa këtë e shfytëzoi Kosova që me anë të Dardan Topillës shënoi edhe golin e 7-të, duke marrë fitoren e parë në kuadër të parakualifikueseve që zhvillohen në Shkup.

Pas kësaj disfate Maqedonia humbi të gjitha gjasat edhe për vendin e dytë, për të cilin tashmë pritet të luftojë përfaqësuesja e Kosovës e cila të dielën në kuadër të xhiros së tretë në grup do të përballet me Sloveninë (ora 20:00), ndërkohë Maqedonia do të ndeshet me favoritin e grupit Ukrainën në takimin që nis në orën 17:30.



   
   
Reprezentacioni A