Flet para Vitit të Ri presidenti Muamed Sejdini: Të sigurojmë të ardhme të ndritshme për futbollin tonë

Publikuar më 31 Декември, 2019 Lajme


Jemi në prag të ndërrimit të moteve, po mbyllim një vit dhe një dekadë gjatë të cilave kaluam lloj lloj sfidash dhe hapet një faqe e re me synime e sfida të reja. Me këtë rast, presidenti Muamed Sejdini i është drejtuar opinionit me urime më të sinqerta dhe paralajmërim për punë serioze drejt realizimit të objektivave.


Përfaqësuesja A e Maqedonisë në play off për kualifikim në EURO 2020


Muamed Sejdini: "Kualifikimi në Kampionatin Europian do të ishte realizim i ëndërës. Unë shpresoj se përfaqësuesja e Maqedonisë do të jetë në nivelin më të mirë në ndeshjet e play offit me Kosovën në takimin e parë në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, ndërsa më pas edhe në takimin final, pa marrë parasysh nëse rival do të kemi Gjeorgjinë apo Bjellorusinë. Kjo gjeneratë e futbollistëve ka zhvilluar ndeshje të shkëlqyeshme gjatë kualifikimeve dhe ka kthyer besimin e opinionit në ekipin më të mirë përfaqësues. Përparimin në lojë dhe përkushtimin e lojtarëve e kanë parë të gjithë. Mirëpo, futbolli kërkon vazhdimisht të jemi të përgjegjshëm. Kjo vlen edhe për ne si federatë e cila përfaqësueses i mundëson kushte për përgatitje dhe ndeshje sa më të mira, por edhe stafi teknik që imponon vlerat e futbollit, disiplinën dhe respektin brenda grupit. Sinqerisht, shpresoj bashkarisht të jemi në nivel të detyrës dhe të kënaqemi me momentet e gëzimit. Duhet të ruajmë unitetin  dhe cilësinë gjatë ndeshjeve. Pikërisht për këto arsye, me optimizëm të madh shohim drejt Kampionatit Europian. Uroj edhe fati të jetë me ne në këto ndeshje të rëndësishme për të siguruar sukses historik dhe kualifikim në KE 2020. Federata, si gjithmonë deri tani, do të sigurojë kushte maksimale për përfaqësuesen. Besoj se edhe tifozët tanë do të kënaqen dhe do të jenë mbështetje e madhe".


Infrastruktura


Muamed Sejdini: "Shpresoj se do të jetë më mirë, kjo është tendenca e Federatës së futbollit të Maqedonisë dhe të gjithëve që punojnë në futbollin tonë. Do ta përsëris veten nëse them se FFM si institucion nuk mundet vetë të mbajë barën për rinovimin e plotë të infrastrukturës së futbollit. Ne varemi edhe nga vetëqeverisjet lokale, qytetet dhe shteti. Përparësi e madhe e jona janë HatTrick projektet e UEFA-së apo ato Forward të FIFA-s dhe nga këto projekte marrim më të mirën dhe e investojmë. Ky është bazament i mirë për futbollin në vendin tonë. Mirëpo, autoritetet lokale dhe shtetërore patjetër të jenë mbështetje e fuqishme për këto projekte. Në periudhën e ardhshme prioritet janë stadiumet në Çair dhe Ohër, ku ndërtojmë tribuna të reja, por sigurisht kemi përgjegjësi edhe për stadiumin në Prilep. Është korekte dhe e ndershme të pranojmë se atje kishim probleme të caktuara me pjesën tonë të përgjegjësisë në bazë të marrëveshjes në lidhje me terrenin, jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe shpresoj së shpejti ta zgjidhim këtë ngecje. Planifikojmë sistem të ri të ndriçimit (projektorëve) në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski”, ndërim të tapetit të blertë në dy terrenet me bar sintetik, si dhe montimin e projektorëve në stadiumin e Manastirit, pasi ajo është pjesë e jona sipas marrëveshjes me UEFA-në dhe komunën e Manastirit. Qëllimi i federatës është të krijojmë kushte që sa më shumë të rinjë të ushtrojnë dhe luajnë futboll me kushte të shkëlqyeshme. Mirëpo, do të ishte iluzion nëse mendohet se këtë mund ta realizojmë vetë. U bëjmë thirrje autoriteteve lokale dhe shtetërore të kyçen dhe të ndihmojnë, pasi me atë investojmë në fëmijët tanë dhe shëndetin e gjithë banorëve të shtetit tonë". 


Futbolli vendor


Muamed Sejdini: "Klubet janë një prej pikave themelore në futbollin tonë, bazament i sportit tonë dhe gjithë ne që jemi pjesë e strukturave në "Shtëpinë e futbollit" kemi përgjegjësi për të ofruar ndihmën tonë dhe të jemi mbështetje për klubet. Investimet në bazë mund të sigurojnë të ardhme të suksesshme për futbollin tonë. Si federatë mundohemi të avansojmë gjitha shërbimet në gara të ndryshme, prej organizatës së arbitrave, duke vazhduar te delegatët dhe kontrollorët, të arrijmë efikasitet më të lartë të referimit dhe masave disiplinore. Është e pamundur të jemi në të njejtën kohë edhe mbështetje finansiare edhe logjistike për gjithë 560-të klubet ekzistuese në vend. Mirëpo, bëjmë gjithçka në kuadër të mundësive tona që familja futbollistike të jetë e kënaqur nga FFM si servis kryesor i tyre. Për ne është kënaqësi që nga raportet FFM-klube shohim atmosferë pozitive dhe shpresoj kjo të kontribuojë për atmosferë më të mirë edhe në stadiume, për punë më cilësore të ekipeve dhe shërbimeve të tyre dhe avansim organizativ të strukturave të klubeve. Federata e futbollit të Maqedonisë gjithmonë do të jetë servis për klubet dhe mbështetje e plotë kur janë në pyetje gjërat që kanë të bëjnë me futbollin. Mirëpo, patjetër të respektojmë para se gjithash rregullat për liçencim dhe kriteriumet për stadiumet. Sinqerisht, shpresoj se futbolli ekipor në vendin tonë me mbështetjen e FFM-së do të shkojë drejt afrimit me standardet europiane. Dëshiroj gjitha klubet të respektojnë principet fair play dhe të jemi dëshmitarë të një kampionati interesant dhe të paqartë deri në fund. As mua, e as dikuj tjetër në FFM nuk u hyjnë në interes gabimet dhe shpresoj se në fund do të flasim vetëm për gjëra në lidhje me futbollin dhe jo për skenare e thashetheme për vendosje të parregullt të garës për titullin apo largimin nga liga".


UEFA dhe FIFA


Muamed Sejdini: "Federata e futbollit të Maqedonisë është e lumtur që te UEFA dhe FIFA kemi partnerë të shkëlqyeshëm, në atë mënyrë ndërtojmë federatë edhe më të fortë me strukturë më të mirë dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme me asosiacionet tjera. Unë e dij, për mua është e qartë se ne këtu, në këto treva kemi mentalitet të tillë, jemi të padurueshëm dhe vazhdimisht kërkojmë ‘diçka senzacionale apo diçka që nuk ka pikë lidhëse me punën tonë, diçka që do të vendoste hije të zezë’, por, nëse jemi të sinqertë ndaj të gjithëve dhe ndaj vetes, zëshëm duhet të themi se vetë e kemi merituar një raport të këtillë me UEFA-në dhe FIFA-n.  FFM është pjesë e pandashme e asaj familje, ndërsa njerëzit e parë të UEFA-së dhe FIFA-s me epitete lavdëruese flasin për përkushtimin tonë dhe do të jenë mbështetje gjithmonë derisa ne sillemi dhe punojmë sipas vlerave kryesore të institucioneve më të rëndësishme të futbollit europian dhe botërorë".


Përfaqësueset e moshave dhe akademia e futbollit 


Muamed Sejdini: "Një prej prioriteteve kryesore mbetet zhvillimi i futbollit te moshat e reja. Kemi bërë punë të madhe me akademinë e futbollit e cila funksionon në kuadër të FFM-së, mirëpo qëllimi ynë është t’u ndihmojmë edhe klubeve të zhvillojnë bazat te moshat. Nga kjo pikëpamje, vazhdimisht mundohemi t’u ndihmojmë edhe përmes mbështetjes teknike për zhvillim të futbollit me moshat e reja. Trajnerët tanë vazhdimisht i dërgojmë për edukim me më të mirët dhe kjo praksë gjithsesi se sjell rezultate te kategoritë e reja. Këtë vit ekipet përfaqësuese të moshave kishin numër rekord të ndeshjeve, kushtet këtu në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” janë në nivel të lartë dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim. Kuptohet, trajnerët dhe seleksionuesit, gjithashtu kanë përgjegjësitë e tyre. Të gjithë varemi nga rezultatet. Nuk kërkojmë kualifikim në Kampionat Europian me secilën gjeneratë, mirëpo e dijmë se ku dhe sa mundemi. Qëllimi ynë është të sigurojmë të ardhme të ndritur për futbollin e vendit tonë". 


2020


Muamed Sejdini: "
Dëshira ime e madhe është të kualifikohemi në Kampionatin Europian. Uroj punë të frytshme në ekipet përfaqësuese dhe sigurisht shumë suksese për gjitha klubet në vend. Çdo ditë mijëra futbollistë, trajnerë, punëtorë të futbollit ngrihen dhe punojnë me përkushtim për ekipet e tyre, klubet e tyre, përfaqësuesen e tyre dhe për futbollin tonë. Të gjithë i falenderoj për mundin dhe kontributin. Në emër të Federatës së futbollit të Maqedonisë, do të doja të falemenderoj gjithë ata që janë të lidhur me nxitjet që sjell futbolli dhe tifozëve, dashamirëve të futbollit u dëshiroj gjithë të mirat në të ardhmen. Futbolli bashkon njerëzit pa marrë parasysh gjininë, ngjyrën, fenë, apo përkatësinë etnike e partiake. Urime festat dhe le t’ju ndjekë paqa, gëzimi dhe lumturia."



   
   
Reprezentacioni A